Prokuroria e Posaçme publikoi një sqarim zyrtar mbi ecurinë procedurale të çështjes penale nr. 27/2024, ku i pandehur është ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Sipas SPAK, vonesat nuk lidhen me organin e akuzës, por me mungesat dhe kërkesat e pajustifikuara të mbrojtjes.
Dosja ndaj Veliajt dhe bashkëpandehurve të tjerë u dërgua në Gjykatën e Posaçme më 10 shtator 2025. Seanca e parë e gjykimit paraprak u caktua për 29 shtator, por që nga ajo ditë janë shtyrë tetë seanca radhazi. SPAK thekson se arsyeja lidhet me mungesa të pajustifikuara të avokatëve dhe kërkesa të konsideruara të pabazuara nga mbrojtja, duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve ligjore.
SPAK kundërshton pretendimet e Erion Veliajt se nuk është vënë në dijeni të akteve, duke deklaruar se më 23 korrik 2025, Veliaj dhe mbrojtësit e tij janë njoftuar për përfundimin e hetimeve paraprake.
Më 24 korrik 2025, mbrojtja ka marrë në dorëzim një kopje të plotë të akteve, e dokumentuar me procesverbal dhe më 10 tetor 2025, avokati ka kërkuar një kopje shtesë të materialeve të përditësuara, duke konfirmuar vetë marrjen e dosjes së plotë më 23–24 korrik.
Sipas SPAK, çdo pretendim i mëvonshëm mbi mungesën e njohjes me aktet lidhet me marrëdhënien mes të pandehurit dhe avokatëve të tij, jo me organin procedues.
Në mbyllje, Prokuroria e Posaçme thekson se vazhdon të zbatojë detyrimet ligjore dhe të sigurojë zhvillimin e një procesi të rregullt gjyqësor për të gjitha palët në çështje.