Shqipëria mëson skenarin e ndeshjes së parë në Botëror 2026: Ja me cilën skuadër do të përballet nëse kalon play-off-in

Shqipëria ka marrë një panoramë të qartë të rrugëtimit të saj të mundshëm në Kupën e Botës 2026, pas hedhjes së shortit në Uashington. Megjithëse pjesëmarrja në turne ende nuk është e sigurt, shorti ka përcaktuar kundërshtarët me të cilët kuqezinjtë do të përballeshin nëse sigurojnë kualifikimin përmes play-off-it të marsit.

Skuadra e Sylvinhos do të ketë dy sfida vendimtare në play-off: gjysmëfinalen më 26 mars dhe finalen më 31 mars. Vetëm triumfi në këto dy ndeshje do t’i japë Shqipërisë biletën historike drejt Botërorit që starton më 11 qershor.

Shorti e ka pozicionuar Shqipërinë në Grupin F, së bashku me tre ekipe me peshë:

  • Holanda
  • Japonia
  • Tunizia

Në skenarin pozitiv të kualifikimit, kuqezinjtë do të nisin rrugëtimin pikërisht kundër Tunizisë. Një përballje e konsideruar vendimtare për të vendosur ritmin dhe besimin e ekipit në një grup tepër sfidues.

Ndërkohë, sfidat me Holandën dhe Japoninë do të përbënin dy testet më të forta në historinë e kombëtares sonë, në një turne ku çdo rezultat do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme.