Adem Boba, babai i adoleshentit 15-vjeçar që humbi jetën pas plagosjes me thikë në zemër, ka shpjeguar versionin e tij të ngjarjes, duke theksuar se djali nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin që u shndërrua në tragjedi.
Ai tregon se Erjoni ishte nisur për në punë kur disa shokë i kërkuan t’i çonte me makinë për t’u sqaruar me disa të rinj të tjerë. Sipas tij, i biri nuk i njihte personat e përfshirë dhe nuk kishte asnjë arsye të ishte pjesë e debatit.
“Djali ka qenë duke shkuar për në punë. I kanë dalë disa shokë dhe i kanë thënë: ‘Na dërgo pak, kemi një muhabet për të sqaruar’. Ai vetëm i ka çuar dhe ka dashur të largohej. Nuk ka pasur lidhje me ngjarjen. Aty ka nisur konflikti dhe djali im ka mbetur më i dëmtuar. Ka ndërhyrë për t’i ndarë, por ka marrë thika”, u shpreh ai.
Sipas Babait, në vendngjarje ka qenë një grua e moshuar, e cila dyshohet se ka qenë dëshmitare okulare dhe mund të ketë parë më shumë se të tjerët. Ai thotë se përplasja përfshinte “6–7 djem nga të dyja palët”, ndërsa familjet e të miturve të tjerë kanë pretenduar se gjithçka ndodhi “në gjaknxehtësi e sipër”.
Me dhimbje, babai rrëfen se edhe pse kishte menduar të falte autorin nëse djali do të shpëtonte, tani çdo gjë ka ndryshuar.
“E kisha bërë një lloj marrëveshjeje me veten: nëse shpëtonte çuni, do t’i falja. Por tani… gjërat ndryshojnë. Pres të funksionojë ligji, dua çfarë parashikon Kushtetuta e Shqipërisë”, tha ai.
Adem Boba tregon se familja ishte shpërngulur nga Bulqiza në Durrës për një jetë më të mirë dhe mundësi më të mira arsimimi për fëmijët. “Ne shkuam për një jetë më të mirë. Rrija me qira. Në Bulqizë kam punuar në minierë”, tha ai.