Lagjja e ish-Kënetës në Durrës mbetet nën heshtje të rëndë, ndërsa dera e shtëpisë me qira ku jetonte familja Boba qëndron ende e mbyllur. Vetëm pronarja e katit të parë gjendet në banesë; familja e të miturit nuk është rikthyer më që prej ditës së ngjarjes tragjike.
Më 25 nëntor, 15-vjeçari Erion Boba u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar, pas një konflikti të çastit. Pas nëntë ditësh të vështira në spital, adoleshenti humbi jetën.
Familjarët, që prej tre vitesh ishin shpërngulur nga Bulqiza në Durrës për t’u ofruar fëmijëve arsim më të mirë dhe kushte më të mira jetese, ndodhen aktualisht në Tiranë pranë të afërmve teksa presin që drejtësia të vendosë për fatin e autorit të krimit.
Edhe banesa e gjyshërve nga ana e nënës në Durrës është bosh. Sipas informacioneve, trupi i Erionit pritet të prehet në Bulqizë, aty ku familja ka rrënjët.