Gjykata e Tiranës pritet të shpallë më 9 dhjetor vendimin përfundimtar ndaj Mario Përlleshajt, i akuzuar për vrasjen e 15-vjeçarit Martin Cani në afërsi të shkollës “Fan Noli”, më 18 nëntor 2024.
Në seancën e sotme, mbrojtja ligjore e të miturit kërkoi rikualifikimin e akuzës nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, duke argumentuar se autori ka vepruar nën ndikim të menjëhershëm emocional.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 25 vite burg, ndërsa vendimi i gjykatës do të referojë nenin 97 të Kodit Penal për të mitur, i cili përcakton se në raste të tilla dënimi nuk mund të kalojë 12 vite heqje lirie. Nëse gjykata pranon rrethanat lehtësuese të kërkuara nga mbrojtja, dënimi i Përlleshajt mund të reduktohet në më pak se gjysma e kërkesës së prokurorisë.
Martin Cani u plagos për vdekje me thikë në bark gjatë një konflikti mes bashkëmoshatarësh që kishte nisur që të premten dhe kishte vijuar të hënën gjatë pushimit në oborrin e shkollës. Pas mësimit, palët u përballën sërish të shoqëruar nga miq, ku situata degradoi në përdorimin e armës së ftohtë.
Pas goditjes, Cani arriti të ecte disa metra drejt shkollës, por u rrëzua në trotuar si pasojë e humbjes së gjakut. Ai ndërroi jetë në spital pak më vonë.
Ndërkohë, shoku i tij, Luis Meçe, mori katër goditje me thikë, por fatmirësisht mbeti jashtë rrezikut për jetën. Edhe autori u plagos lehtë në dorë. Pak çaste pas ngjarjes, një foto e tij e publikuar në “Snapchat” – e realizuar nga një shok ndërsa po shkonin drejt spitalit me taksi – shkaktoi reagime të shumta publike.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të mitur në Kavajë, ku ndodhet në pritje të vendimit të gjykatës.