Tragjike/ Ndërron jetë 15-vjeçari i plagosur me thikë në Durrës. Sherri për një koment në rrjetet sociale

Ka ndërruar jetë 15-vjeçari që u plagos rëndë me thikë disa ditë më parë në Durrës, pas një konflikti mes adoleshentësh që dyshohet se nisi për një koment në rrjetet sociale.

I mituri u transportua në spital me katër plagë me thikë, mes tyre edhe një goditje në zemër, dhe iu nënshtrua menjëherë një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale.

Burime spitalore bënë me dije një ditë më parë se ai ndodhej në repartin e reanimacionit, i intubuar dhe në gjendje shumë të rëndë, por pavarësisht përpjekjeve mjekësore, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Rrethanat e plota të ngjarjes janë ende nën hetim, ndërsa policia po punon për dokumentimin e plotë të konfliktit mes të miturve.