Ministria e Financave nuk publikon listën e kompanive që u falen 2 miliardë euro detyrime/ Ekspertët: Mungesa e transparencës minon llogaridhënien dhe favorizon abuzimet

Projektligji më i rëndësishëm i paketës fiskale për vitin 2026 po avancon drejt miratimit, ndërsa parashikon faljen e mbi 2 miliardë eurove në detyrime tatimore, gjoba dhe kamatëvonesa. Megjithatë, Ministria e Financave ende nuk ka bërë publike listën e subjekteve që përfitojnë nga kjo amnisti fiskale, duke ngritur shqetësime serioze për transparencën dhe llogaridhënien institucionale.

Në një vend ku çdo kontratë, tender apo pagesë publike duhet të jetë e aksesueshme, publikimi i një faljeje të përmasave të tilla pa identifikimin e përfituesve shihet si një hap pas. Ekspertët e tregut paralajmërojnë se mungesa e listës u hap rrugë praktikave klienteliste, dëmton konkurrencën dhe minon besimin në sistemin fiskal.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave, thekson për Top Channel se transparenca është e pazëvendësueshme:

“Publikimi i listës duhet të jetë parakushti kryesor. Edhe pse mund të thuhet se ligji e parashikon, duhet saktësuar në klauzolë që jo më vonë se 31 marsi 2026 Ministria e Financave të bëjë publike listën. Vetëm transparenca maksimale ul efektet negative ekonomike, fiskale dhe politike të faljeve.”

Edhe eksperti fiskal Eduard Gjokutaj shprehet se mungesa e informacionit lë pikëpyetje të mëdha për qëllimet reale të amnistisë:

“Nëse publiku nuk di kush është falur, pse është toleruar deri më sot dhe çfarë përfiton ekonomia, atëherë krijohet perceptimi se përfitojnë të mëdhenjtë që tradicionalisht kanë përfituar nga amnistitë. Kjo nuk shkon në linjë me modelin e transparencës dhe llogaridhënies.”

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka argumentuar se rreth 90% e borxheve i përkasin kompanive që nuk ekzistojnë më, prandaj publikimi i emrave nuk do të sillte vlerë. Megjithatë, ministria vazhdon të refuzojë publikimin e listës, edhe pse bëhet fjalë për shuma të mëdha që lidhen direkt me financat publike.

Ekspertët theksojnë se mungesa e transparencës prek drejtpërdrejt bizneset që paguajnë rregullisht detyrimet. Sipas tyre, shumë nga subjektet që do të përfitojnë faljen mund të kenë krijuar borxhe me qëllimin për t’i shmangur, ndërsa sot operojnë me biznese të reja dhe të suksesshme mbi baza abuzive.

“Ka një problem serioz me barazinë në treg. Biznesi i vogël dhe i mesëm është ai që mbart ngarkesën dhe ul papunësinë, ndërsa nëse ligji i shërben kompanive të mëdha, krijohet dyshimi i një ligji të lobuar e jo në interes të ekonomisë,” shton Malaj.

Sipas ekspertëve, mos publikimi i listës lë të hapura dyshimet për mënyrën se si janë krijuar borxhet, se kush është toleruar ndër vite dhe cili është efekti i vërtetë i amnistisë në ekonomi.

“Mungesa e llogaridhënies fsheh fajtorët. Administrata duhet të raportojë çfarë është bërë me paranë publike. Një evazionist që i ka shmangur detyrimet nuk ndalon; ai vazhdon në të njëjtën mënyrë,” thekson Gjokutaj.

Për ekspertët, publikimi i listës së përfituesve nuk është thjesht proces teknik. Ai është testi kryesor i besueshmërisë së paketës fiskale dhe një akt drejtësie ndaj mijëra bizneseve që paguajnë detyrimet e tyre çdo vit.