Është gjetur i gjallë, por në gjendje të rëndë, Nazif Muslija, 50 vjeç, me origjinë shqiptare (Maqedoni e Veriut), i cili ishte në arrati prej më shumë se 24 orësh pas vrasjes së bashkëshortes së tij, Sadjide Muslija, 49 vjeçe, krim i ndodhur dje në banesën e çiftit në Pianello Vallesina të Monte Roberto, pranë Ankonës.
Burime të shërbimit të urgjencës 118 bëjnë me dije se Muslija u gjet i shtrirë në tokë në një zonë të vështirë të Matelica-s (provinca Macerata), pranë vendit ku ishte lënë e braktisur automjeti i tij, një Smart e bardhë. Mjekët janë duke e stabilizuar dhe duke i dhënë ndihmën e parë të specializuar.
Ndërkohë, hetimet për vrasjen po avancojnë. Gjatë kontrolleve të pasdites së sotme në banesën e çiftit, karabinierët, së bashku me kolegët e S.I.S., kanë sekuestruar një tub hekuri, i cili dyshohet se mund të jetë arma e përdorur për goditjen e 49-vjeçares. Ky objekt do t’i nënshtrohet analizave laboratorike në ditët në vijim për të verifikuar nëse ka lidhje direkte me krimin.
Në banesë priten të kryhen ekzaminime të detajuara për gjurmë, shenja biologjike dhe çdo element tjetër që mund të ndihmojë në rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes. Prokuroria ka urdhëruar edhe autopsinë, ndërsa data e kryerjes së saj ende nuk është vendosur.
Prokuroria e Ankonës kishte lëshuar dje urdhër ndalimi dhe mandat kërkimi ndërkombëtar ndaj Nazif Muslisë, i dyshuar për vrasje me dashje të bashkëshortes së tij.