Në takimin e zhvilluar sot në Mirditë, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi me tone kritike lëvizjet e fundit brenda PD-së, veçanërisht mobilizimin e Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit në bazë, të cilët një ditë më parë morën mbështetje të ndjeshme në Durrës.
Berisha, i dukshëm i shqetësuar nga aktiviteti i tyre politik në terren, u shpreh se ata po synojnë “njerëzit e pakënaqur”.
“Çfarë ke zotëri, pse del anash,” ishte reagimi i tij në adresë të Salianjit, duke shtuar: “Në çdo mbledhje ke të drejtë të thuash ç’të duash, por pse shkon dhe merr njerëz të pakënaqur?”
Ai tregoi se kishte marrë edhe një mesazh nga një demokrat lidhur me lëvizjet e brendshme në parti:
“Më çon mesazh një demokrat. Shaupin e ka çuar me detyrim Xhaferri, njeriu i Haramit, Haram Begës. Çfarë ke zotëri? Je anëtar i partisë, je i lirë. Ke të drejtë të shprehesh.”
Reagimi vjen mes tensioneve të brendshme që po shfaqen gjithnjë e më hapur në PD, teksa disa figura po organizojnë takime dhe mbledhje jashtë linjës zyrtare të grupimit të drejtuar nga Berisha.