AKU kthen mbrapsht 51 ton misër nga Serbia; analizat zbulojnë prani të aflatoksinës B1

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka identifikuar prani të aflatoksinës B1 në një sasi prej 51 ton misër me origjinë nga Serbia, të destinuar si ushqim për kafshë. Rezultatet kanë dalë pas analizave laboratorike të kryera mbi mostrat e dy ngarkesave të importuara.

Sipas njoftimit zyrtar, njëra prej ngarkesave është kthyer në vendin e origjinës, ndërsa tjetra është bllokuar dhe do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit, në përputhje me rregulloren për sigurinë ushqimore.

AKU thekson se çdo produkt ushqimor i importuar kalon përmes kontrolleve të rrepta për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga myku, e cila mund të jetë e rrezikshme për shëndetin nëse gjendet në produkte ushqimore ose ushqim për kafshë.