Gjatë takimit të sotëm në Durrës, Ervin Salianji deklaroi se nisma e tij me demokratët ka si synim “ringritjen dhe zgjimin e Partisë Demokratike”. Sipas tij, pjesëmarrja ishte e madhe, me sallën e mbushur plot dhe qytetarë që prisnin edhe jashtë ambienteve.
Salianji theksoi se politikanët e PD-së duhet të rikthehen te njerëzit, në terren dhe në takime të drejtpërdrejta, për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe për të ndërtuar një alternativë që “mund të mundë Edi Ramën”.
Ai u shpreh se në takim ishin të pranishme të gjitha strukturat e PD-së në Durrës, përfshirë dhe anëtarë që nuk kanë patur më parë përfaqësim në organet e partisë. Sipas tij, ky format synon të nxisë diskutime të hapura dhe të çojë mendimet aty ku duhet.
“Qëllimi i çdo takimi është ringritja dhe zgjimi i PD-së. Ky është i vetmi qëllim imi”, tha Salianji.
Berisha kundër: “Nuk ka lidhje me PD-në”
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi para takimit duke e cilësuar këtë aktivitet të Salianjit si një veprim për interesa personale. Në daljen e tij për mediat, Berisha theksoi se PD-ja funksionon përmes forumeve zyrtare dhe se çdo lëvizje jashtë tyre nuk përfaqëson partinë.
“Kjo foltore nuk ka lidhje me PD-në. Partia ka forumet e saj. Çdo aktivitet jashtë tyre është në funksion të interesave personale”, deklaroi Berisha.
Takimi në Durrës vjen pas atij të zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë me kandidatët më të votuar të PD-së nga listat e hapura të 11 majit, duke treguar vijimësinë e nismës së Salianjit dhe Ilir Alimehmetit për të kontaktuar me bazën demokrate.