Ervin Salianji ndezi debatet brenda Partisë Demokratike me një takim të zhvilluar në Durrës, pjesë e një serie foltoresh që synojnë të testojnë pulsin e bazës demokrate dhe të kërkojnë ringritjen e forcës më të madhe opozitare. Pa bekimin e Sali Berishës dhe përballë një kundërshtimi të hapur nga lidershipi zyrtar, Salaianji mbushi sallën me qindra demokratë të qarkut, duke përcjellë një mesazh që synon të trazojë ujërat e qeta të status quo-së.
“Demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirrur. Këto thirrje nuk duhen relativizuar. Është koha e përgjegjësisë. PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin”, deklaroi Salianji në hapje të foltores, duke theksuar se partia nuk mund të justifikojë më humbjet zgjedhore vetëm me Edi Ramën.
Ai solli në vëmendje zgjedhjet e pjesshme lokale si shembull të demotivimit të bazës: “Edi Rama nxori 15 mijë votues në Vlorë, ne nuk nxorëm më shumë se 2 500. Kjo tregon pafuqinë e opozitës për të ringjallur qytetarët e vet.”
Ndryshe nga pritshmëritë, Salianji nuk e përmendi asnjëherë Sali Berishën në fjalim, por mesazhi iu përcoll përmes Arjon Bajramajt, ish-kryetar i FRPD Durrës:
“Duhet të hapim diskutimin brenda PD. Duhet të pranojmë gabimet. Nuk na duhen koka turku, por përmirësim”, tha ai.
Foltores iu bashkuan edhe emra të njohur të listave të hapura të 11 majit, të cilët pësuan pasojat e përzgjedhjeve të brendshme të diskutueshme dhe mbetën jashtë parlamentit pavarësisht mbështetjes së madhe qytetare.
“Ne mendojmë se mund të japim më të mirën për PD-në. Kjo frymë bashkimi dhe hapjeje është e vetmja mënyrë që partia të jetë e lirë dhe konkurruese”, u shpreh Ilir Alimehmeti.
Mesazhi final i Salianjit për demokratët ishte i drejtpërdrejtë:
“Bashkohuni me ne. Do ta mundim Ramën të hapur, të bashkuar dhe të ripërtërirë.”
Vetëm pak orë para nisjes së takimit, kryetari i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi foltoren e Salianjit si aktivitet personal pa lidhje me Partinë Demokratike.
Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se PD ka forumet e saj dhe se çdo veprim jashtë tyre nuk përfaqëson partinë. Ky qëndrim u pa si përpjekje për të frenuar pjesëmarrjen e strukturave, por në Durrës prania ishte e lartë, duke sfiduar urdhrin e kryedemokratit.