Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku po hetohet për një seri tenderash të dyshuar si të paracaktuar nga institucionet që ajo drejton.
SPAK po verifikon rreth 12 procedura tenderuese me vlera të mëdha, të cilat dyshohen se janë ndërtuar mbi kritere të hartuara paraprakisht nga vetë kompanitë garuese, me synimin për të favorizuar fituesit. Tenderat lidhen kryesisht me mirëmbajtjen e serverave dhe sistemeve të institucioneve shtetërore.
Në qendër të hetimeve është edhe biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili dyshohet se ka përfituar miliona euro nga këto procedura. Beqiri është paraqitur më herët në SPAK për t’u marrë në pyetje.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, për të sqaruar mënyrën e zhvillimit të tenderave.
Institucioni i AKSHI-t vazhdon të jetë në qendër të akuzave për praktika korruptive. Prej kohësh ai përmendet në disa dosje hetimore, përfshirë edhe rastin e ish-zyrtarit Daniel Shima, i cili u zhduk për disa orë pasi kishte dëshmuar në SPAK lidhur me abuzimet me tenderat.