Familja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi ka bërë të ditur se ishte pikërisht Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit, personi kyç që mundësoi kthimin e shpejtë të trupit të artistit në Maqedoninë e Veriut.
Shpati ndërroi jetë në Bergamo natën kur kishte mbërritur në Itali. Pas vdekjes, trupi u transferua në një spital të Milanos për analizat mjeko–ligjore, autopsi dhe procedura të tjera të domosdoshme, të cilat zakonisht zgjasin shumë ditë. Por këtë herë, falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Tares, procesi u përmbyll për vetëm katër ditë.
Në kushte normale, kthimi i trupit do të zgjaste dukshëm më shumë. Por Tare u angazhua personalisht për të përshpejtuar të gjitha procedurat burokratike që lidhen me raste të tilla në Itali, duke bërë të mundur që Shpati të prehej në Tetovë të dielën e 30 nëntorit.
Familja e Kasapit shprehu publikisht mirënjohjen për këtë ndihmë vendimtare.
“Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë. Falënderojmë të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë në këtë humbje të rëndë. Dua të falënderoj publikisht Igli Taren, bashkëkombësin tonë që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye në kohë rekord në vendin tonë. Na është gjendur jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje,” – u shpreh Albin Kasapi, vëllai i këngëtarit, për Sportmania.
Shpat Kasapi ndërroi jetë më 25 nëntor, pas një arresti kardiak në Bergamo.