Arrestohet 29-vjeçari nga Prrenjasi, dyshohet si “sytë dhe veshët” e atentatorëve që ekzekutuan Mondi Mëhallën

Hetimet për vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla në Elbasan kanë çuar në arrestimin e një tjetër personi. Në pranga ka rënë Nevzat Spaho, 29 vjeç, nga Prrenjasi, i cili dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i autorëve të atentatit.

Sipas grupit hetimor, Spaho është kapur nga kamerat e sigurisë duke lëvizur me makinën e tij pranë biznesit të viktimës. Dyshohet se ai ka pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit, duke koordinuar lëvizjet e autorëve për t’i krijuar momentin e duhur për ekzekutimin e Mëhallës sapo ky i fundit doli nga biznesi.

Me arrestimin e tij, policia ka sekuestruar automjetin, një celular dhe prova të tjera që pritet t’i shërbejnë hetimit. Spaho është emër i njohur për policinë, i proceduar më herët për vjedhje, plagosje, zjarrvënie dhe gjobëvënie.

Nga të dhënat e deritanishme, ai ka lidhje shoqërore me Marselo Aranin, i shpallur në kërkim si personi që dyshohet se kishte konflikt me viktimën për prishjen e pazareve të drogës. Në kërkim vijon të jetë edhe Amarildo Kola, ndërsa një ditë më parë u arrestuan ortaku i Mëhallës, Xhulio Ago, dhe roja i karburantit, Kujtim Pisha.