“E thjeshtë të rrish me rrogë deputeti në opozitë”/ I riu përballë Berishës: “Po na dekurajoni me promovimin e figurave pa rezultate“

Gjatë një takimi të zhvilluar këtë të martë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, me demokratët e Degës nr. 9 në Tiranë, një i ri mori fjalën dhe shprehu hapur pakënaqësinë e tij për mënyrën se si po funksionon partia.

Ai i tha Berishës se demokratët e thjeshtë po demotivohen, ndërsa figura që nuk kanë sjellë rezultate po promovohen vazhdimisht.

“Kur nisët Foltoren, të gjithë ishim entuziastë se gjërat do ndryshonin. U mendua se deputetët që nuk sillnin rezultate do të hiqeshin. Por tani shoh që promovohet dikush që nuk ka pasur rezultate dhe unë si i ri dekurajohem. Është shumë e thjeshtë të rrish me rrogën e deputetit në opozitë, shumë më e vështirë për një demokrat të thjeshtë,” tha i riu.

Ai shtoi se mungesa e meritokracisë po i largon të rinjtë nga PD dhe se komisionet mezi po mbushen:

“Jam aktivizuar në opozitë, nuk njoh pushtet. Na mban ideali. Por kur shohim që puna nuk vlerësohet, njerëzit humbin motivimin.”

Gjithashtu, ai kritikoi kohën e gjatë që partia ka shpenzuar në diskutime të vetme, përfshirë çështjen e shkarkimit të Niko Peleshit:

“PD është një parti me 600 mijë votues, nuk besoj se mund të merremi vetëm me një temë për mbledhje të tëra.”

Berisha e falënderoi për sugjerimet dhe pranoi se duhen bërë korrigjime:

“Ardhja e deputetëve te ju duhet dhe do të jetë konstante. Do e korrigjojmë,” u përgjigj kreu i PD-së.