E nxorrën nga makina dhe e dhunuan me shkop bejsbolli/ Ngjarja në Lezhë dyshohet se nisi për një vajzë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme pranë kryqëzimit të fshatit Rrilë në Lezhë, ku Petrit Paloka 35 vjeç, është dhunuar brutalisht nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas informacioneve paraprake, Paloka është nxjerrë me forcë nga automjeti me të cilin udhëtonte dhe më pas është goditur disa herë me mjete të forta, mes të cilave dyshohet se ka qenë edhe një shkop bejsbolli. Ai ka marrë plagë të shumta dhe është transportuar menjëherë për në spital.

Hetimet e para sugjerojnë se konflikti mund të ketë nisur pas ngacmimit të një vajze, por pistat e tjera nuk përjashtohen. Fillimisht, Paloka ka deklaruar se nuk i ka njohur autorët, ndërsa më vonë ka pohuar se njeh njërin prej tyre.

Policia ka nisur verifikimet për konfliktet e mundshme të ditëve të fundit dhe po kontrollon kamerat e sigurisë së bizneseve pranë zonës për të identifikuar lëvizjet e autorëve. Ndërkohë, burimet konfirmojnë se i dhunuari nuk rezulton person me precedent penal.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.