Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e së martës në aksin rrugor Maliq–Lozhan, ku humbi jetën këmbësori 67-vjeçar, Bashkim Hida.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, automjeti që e përplasi ishte drejtuar nga shtetasi D.Q., i cili rezulton të jetë punonjës policie.
Sipas uniformave blu, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:10, kur automjeti me drejtues efektivin D.Q. ka përplasur 67-vjeçarin. Si pasojë e goditjes, Bashkim Hida ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndodhen në vend për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkakun e aksidentit. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.