Pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, bregdeti i Velipojës është mbuluar nga një sasi e madhe mbetjesh plastike, duke krijuar një pamje alarmante. Situata konsiderohet pasojë e trajtimit të dobët të mjedisit gjatë gjithë vitit, ku mijëra mbetje të hedhura në lumenj, përrenj dhe zona malore përfunduan në det përmes rrjedhave të ujit.
Aktivisti shkodran, Mirsad Basha, thekson se problemi nuk është surprizë dhe se kërkohet ndërgjegjësim qytetar për të shmangur episode të tilla. Sipas tij, të rinjtë e Shkodrës po organizojnë një aksion vullnetar për pastrimin e zonës së Velipojës.
Por ndotja nuk është kufizuar vetëm në territorin shqiptar. Dallgët kanë transportuar sasi të mëdha mbetjesh deri në Kroaci, duke u bërë kryefjalë në mediat botërore, përfshirë edhe The New York Times. Autoritetet kroate raportojnë se bregdeti i Dubrovnikut dhe porti i vjetër janë mbuluar nga mbetje plastike që identifikohen qartë si shqiptare, për shkak të mbishkrimeve në gjuhën shqipe.
“Këtë vit ishte shumë, shumë keq. Plazhi kryesor dhe porti i vjetër i Dubrovnikut u shndërruan në një pishinë mbetjesh. Dallohej që ishin nga Shqipëria. Gjetëm edhe topa futbolli me shqiponjën tuaj,” është shprehur Ivan Vukovic, përgjegjës i zonës turistike në Dubrovnik. Ai shtoi se Shqipëria po njeh një rritje të madhe turistike, por theksoi se duhet më shumë kujdes ndaj mjedisit. Kroacia, sipas tij, e ka zgjidhur problemin e ngjashëm duke krijuar skema pagesash për çdo shishe të rikthyer, duke shmangur hedhjen e mbeturinave në natyrë.