Detaj befasues nga atentati në Elbasan: Makina e autorëve rezulton në pronësi të kompanisë së Mondi Mëhallës

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ekzekutimin e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, në Elbasan. Burime për News24 bëjnë me dije se automjeti me të cilin u larguan autorët e dyshuar të krimit rezulton të jetë në pronësi të kompanisë së vetë viktimës.

Mëhalla u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në automjetin e tij “Range Rover”, pasi një prej autorëve e qëlloi me pesë plumba, nga të cilët dy i mori në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Autorët janë larguar menjëherë pas atentatit në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd. Të hënën, në fshatin Mirakë, u gjet një automjet i djegur, që dyshohet të ketë shërbyer si mjeti i arratisjes.

Policia dhe grupi hetimor po verifikojnë lidhjen mes automjetit të djegur dhe krimit, si dhe arsyen pse makina e përdorur nga autorët figuron në pronësi të kompanisë së viktimës. Hetimet vijojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve.