Një ngjarje e rëndë ka tronditur Elbasanin pasditen e së dielës, ku biznesmeni Edmond Hyka, i njohur edhe si Mondi Mëhalla, është ekzekutuar me armë zjarri pranë biznesit të tij.
Sipas informacionit paraprak, Hyka sapo kishte dalë nga zyra e karburantit të tij “Xhaxhi Oil” dhe ishte futur në automjetin “Range Rover”, kur u qëllua nga dy autorë të dyshuar. Ai është goditur me dy plumba në kokë, të cilët i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja me një automjet tip Audi, në ngjyrë të zezë, dyshohet në drejtim të Librazhdit. Ngjarja ka ndodhur në një zonë të frekuentuar, ku shumë dëshmitarë, përfshirë punonjës të karburantit, kanë parë momentet e atentatit. Deklaratat e tyre po mblidhen nga grupi hetimor.
Viktima administronte disa biznese në zonë dhe më herët ka qenë i proceduar për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vend, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e motivit të ekzekutimit.