Zbardhen përgjimet që fundosën oficerin e Antiterrorit/ Mesazhet në SKY ECC për Denis Muftiun: “Kjo punë ka kosto, jemi tre veta nga 5 mijë”

Detaje të reja kanë dalë në ditë mbi dosjen hetimore të SPAK, e cila, në bashkëpunim me prokurorinë e Breshias, goditi një rrjet të madh trafiku droge, duke lëshuar 24 urdhër-arreste. Mes tyre u arrestua edhe oficeri i Antiterrorit Igli Haxhiaj, i akuzuar për nxjerrje të sekreteve hetimore dhe bashkëpunim me organizatën kriminale.

Sipas dosjes së siguruar ekskluzivisht nga gazetarja Klodiana Lala, Haxhiaj dyshohet se, në kohën kur kryente veprën penale, ishte pjesë e Forcave Operacionale. Ai ka komunikuar përmes aplikacionit SKY ECC me anëtarin e grupit kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Italisë, Dario alias Denis Myftiu, duke e informuar për hetimet dhe përgjimet që po kryente policia.

Në një nga bisedat e zbardhura, Myftiu i propozon një takim, ndërsa Haxhiaj i përgjigjet duke i lënë të kuptohet se informacioni kishte “kosto”:

I.Haxhiaj: “Vëlla kjo punë ka një kosto dhe po deshe ok… se vuna dhe shokët në siklet, po dalin muhabete kot. Jemi 3 veta nga 5 mij vlla. Unë kam burrëri dhe të tregoj gjithçka, por duhet të bashkëpunosh dhe mos lësh dyshime nga e ke marrë vesh…”

Në biseda të tjera të siguruara nga dosja, oficeri paralajmëron Myftiun dhe familjarët e tij se janë në përgjim, duke i ofruar informacion mbi hetimet kundrejt pagesës:

I.Haxhiaj: “Ti, nusja, nona jote, Asti, i keni telefonat në përgjim. Nqs do info të tjera bojnë lek… Kaq sa të thashë e ke dhuratë nga shokët.”

Sipas hetuesve, këto komunikime e rëndojnë pozitën e oficerit, i cili dyshohet se ka dekonspiruar operacionet policore, duke ndihmuar grupin kriminal të trafikut të drogës ndërkombëtare. Arrestimi i tij u bë në kuadër të goditjes së një klani shqiptar që mendohet të ketë trafikuar rreth 1.3 tonë kokainë dhe heroinë drejt Italisë gjatë pesë viteve të fundit.