Kryengritje në PD kundër Berishës? Takimi “sekret” ndez debatet, Aulon Kalaja tregon kush e ftoi dhe çfarë u diskutua

Aulon Kalaja, një nga pjesëmarrësit në takimin “sekret” me Ervin Salianjin, Ilir Alimehmetin dhe figura të tjera të Partisë Demokratike, ka sqaruar në “Now” me Erla Mëhillin se për çfarë ishte mbledhja që po komentohet gjerësisht. Ai mohoi çdo përpjekje për kryengritje apo krijim fraksionesh të reja brenda PD-së, duke theksuar se bëhej fjalë për një takim mes demokratëve që kanë marrë më shumë vota nga lista e hapur në zgjedhjet e fundit.

Kalaja tha se ftesa i ishte bërë nga vetë Ervin Salianji dhe se mbledhja kishte karakter miqësor, pa deklarata, vendimmarrje apo dokumente të prodhuara. Sipas tij, diskutimet u fokusuan te çështjet që shqetësojnë sot PD-në dhe mënyrat se si mund të ringrihet partia.

“Ishim njerëzit që kemi marrë më shumë vota nga lista e hapur. Nuk jam pjesë e asnjë lëvizje të re, asnjë fraksioni të ri. Ishte kafe miqësore. Nuk u prodhua asnjë lajm, deklaratë apo foto. U fol për çështje që shqetësojnë PD-në. Kritikat ndaj PD-së i kam bërë gjithmonë publikisht,” tha Kalaja, duke shtuar se është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim tjetër që kontribuon në të mirën e partisë.

Ai theksoi se elementin e “sekretit” nuk e mohon, pasi ftesat u bënë privatisht nga Salianji, por sipas tij, takimi nuk kishte asnjë axhendë të fshehtë politike.