Goditet rrjeti shqiptar i trafikut në Itali! 24 masa sigurie nga Breshia, SPAK arreston oficerin e Antiterrorit dhe sekuestron miliona euro

Oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, është arrestuar si pjesë e aksionit të koordinuar mes SPAK dhe autoriteteve italiane, që goditi një grup të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine drejt Italisë, me lidhje edhe në Shqipëri.

Mësohet se Haxhiaj akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë nxjerrje të sekretit hetimor, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Hetimet tregojnë se ai dyshohet të ketë bashkëpunuar me personat e përfshirë në grupin kriminal, duke iu siguruar informacion të ndjeshëm.

Gjatë viteve kur dyshohet të ketë konsumuar këto vepra, Haxhiaj ka qenë pjesë e Forcave Operacionale, ku ka shërbyer për një periudhë të gjatë. Muajt e fundit ai ishte transferuar në strukturën e Antiterrorit, ndërsa paralelisht ndodhej në proces studimesh për marrjen e gradës nënkomisar.

Operacioni i përbashkët mes Prokurorisë së Breshias dhe SPAK-ut vijon, ndërsa priten detaje të tjera mbi rolin e personave të arrestuar dhe shtrirjen e aktivitetit kriminal.