Erion Isai dy orë në SPAK/ Pyetet për tenderat e manipuluar. Mesazhet në What’s App e nxorrën zbuluar

Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, është paraqitur përsëri këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku u pyet për rreth dy orë në lidhje me hetimet mbi dy tendera të dyshuar për parregullsi. Sipas raportimit të gazetares Anila Hoxha, Isai është thirrur për të dhënë shpjegime mbi procedurat e ndjekura në këto projekte të rëndësishme të bashkisë.

Së bashku me disa zyrtarë të tjerë vendorë, ai akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”. Çështja po hetohet nga prokurori Dritan Prençi dhe lidhet me dy tendera kryesorë: një për ndërtimin e një ujësjellësi dhe një tjetër për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, ku dyshohet se është manipuluar dokumentacioni teknik për përfitime të paligjshme.

Përveç Isait, në procedim penal janë marrë edhe shtatë persona të tjerë, mes të cilëve administratorë të shoqërive private të përfshira në projektet e tenderuara nga Bashkia Kolonjë. Dyshohet se procedurat e prokurimit janë paracaktuar dhe favorizuar, duke u krijuar përfitime të padrejta operatorëve të lidhur me zyrtarët lokalë.

Gjatë hetimit, SPAK ka sekuestruar komunikime të zhvilluara në WhatsApp midis Erion Isait dhe Entela Çanos, administratore e kompanisë “A & E Engineering”. Nga mesazhet janë evidentuar dyshime për koordinim në ndryshimin e parametrave tekniko-financiarë të projekteve, me qëllim përshtatjen e tyre sipas kërkesave të kryebashkiakut apo favorizimin e palëve të interesuara.