Këngëtari i njohur i muzikës moderne shqiptare, Shpat Kasapi, është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare. Sipas të dhënave paraprake, artisti ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak.
I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, Kasapi u rrit në një familje me traditë muzikore dhe që në fillim të viteve 2000 u shndërrua në një prej emrave më të pëlqyer të skenës shqiptare. Stili i tij modern, këngët ritmike dhe performancat energjike e bënë shpejt një idhull të rinisë.
Gjatë karrierës, ai solli një sërë këngësh të suksesshme që u kthyen në hite, mes tyre “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj” dhe projekte të tjera që lanë gjurmë në tregun muzikor shqiptar dhe kosovar.
Shpat Kasapi ka qenë i martuar dhe së fundmi po kalonte një proces ndarjeje. Ai lë pas djalin 3-vjeçar të quajtur Roel . Lajmi për ndarjen e tij të papritur nga jeta ka tronditur botën e muzikës dhe publikun shqiptar teksa artistë të shumtë kanë ndarë dhembjen në rrjetet sociale për humbjen e tij të papritur.