Sherri me thika në Durrës/ Flet mjeku: “15-vjeçari i intubuar në gjendje të rëndë, ka plagë në zemër”

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Durrësin këtë të martë, ku një 14-vjeçar goditi me thikë shokun e tij të shkollës pasi ky i fundit i kërkoi sqarim për ofendimet dhe fyerjet që i drejtonte prej kohësh.

I plagosuri, një 15-vjeçar nxënës i shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, ndodhet në gjendje kritike, pasi njëra nga plagët ka depërtuar në zemër.

Sherri ndodhi rreth orës 14:00, vetëm 20 minuta larg në këmbë nga shkolla ku mësojnë të dy të miturit. Konflikti verbal mes tyre degjeneroi në dhunë, dhe 14-vjeçari nxori një thikë me të cilën goditi shokun e klasës disa herë në zonën e gjoksit.

Mjeku kirurg Fitim Shini bëri me dije se adoleshenti 15-vjeçar ka mbërritur në spital me katër plagë të thella, ndërsa njëra prej tyre ka prekur zemrën, duke shkaktuar gjendje të rënduar. I mituri ndodhet në reanimacion, i intubuar dhe ka marrë tre flakone gjak.

“Pacienti është në gjendje të rëndë, i intubuar. Ka katër plagë në rajonin e gjoksit, njëra depërtonte në zemër. Shpresojmë që në 24 deri në 48 orët e ardhshme të stabilizohet,” deklaroi mjeku Shini.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa 14-vjeçari është shoqëruar për procedurat e mëtejshme. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh tek komuniteti dhe pritet që autoritetet të japin informacion të mëtejshëm.