Ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi në moshën 40-vjeçare ka tronditur familjarët, miqtë dhe publikun shqiptar. Kasapi ndodhej në Itali së bashku me bashkëshorten dhe djalin 4-vjeçar, për një kontroll mjekësor të të birit, kur në orët e vona të së martës është ndier papritur keq dhe ka humbur jetën.
Vëllai i tij, Albini, në një intervistë për Top Channel, tregoi se ndihma e parë mjekësore iu dha në banesë, por pavarësisht përpjekjeve ai nuk arriti të mbijetonte. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i vdekjes është bërë një arrest kardiak.
“Lajmin e morëm rreth orës 23:30–00:00. Shpati kishte shkuar në Milano para dy ditësh për kontrollin e djalit. Në darkë pati probleme me stomakun dhe shtrëngime në gjoks, pushoi pak, më pas u përkeqësua. Besojmë se ka pësuar atak dhe ka ndërruar jetë menjëherë”, u shpreh vëllai.
Ai tregoi se familja shpresonte deri në momentin e fundit që lajmi të mos ishte i vërtetë, por më pas vdekja e tij u konfirmua. Sipas tij, Shpati kishte pasur më herët disa shqetësime të lehta nga zemra, por asgjë të konsideruar serioze.
“Nuk dimë ende nëse ka ndërruar jetë në banesë, rrugës apo në spital, por e sigurt është që nuk është më mes nesh”, tha Albini me dhimbje.
Trupi i këngëtarit ndodhet aktualisht në Itali dhe priten procedurat për transportimin drejt familjes. Bashkëshortja dhe djali i tij janë ende atje, në gjendje të rënduar emocionale.
Lajmin e kobshëm ka qenë e vështirë për t’ia dhënë nënës së këngëtarit.
“Babanë ne nuk e kemi, nëna para pak kohësh e ka kuptuar se më nuk është me ne, nuk ia tregonim dot lajmin e hidhur. Kjo është rruga e gjithë njerëzve, por ai na shkoi më i ri, na ka lënë pa fjalë”, u shpreh Albini.
Albini falënderoi të gjithë ata që janë solidarizuar me familjen në këto momente të rënda. “Shumë njerëz na kanë telefonuar, miq e dashamirës të Shpatit. Na kanë prekur të gjithëve. Jemi emocionalisht të shokuar,” përfundoi ai.