Këshilli i Ministrave i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar vendimin e GJKKO-së, e cila disa ditë më parë vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ky hap vjen pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi se vendimi i gjykatës do të kundërshtohej si cenues ndaj funksionimit të ekzekutivit.
Në shkresën e siguruar nga Top News, qeveria argumenton se lënia në fuqi e vendimit do të krijonte pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke sjellë vakuum institucional dhe pamundësi për të ushtruar përgjegjësitë që Kushtetuta i njeh vetëm Këshillit të Ministrave.
Mes të tjerash, kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkon zgjidhjen e konfliktit të kompetencës mes ekzekutivit dhe GJKKO-së, shfuqizimin e pjesës së vendimit që ka të bëjë me pezullimin nga detyra të Ballukut dhe pezullimin e menjëhershëm të efekteve të këtij vendimi deri në përfundimin e gjykimit.
Në argumentimin e saj, qeveria thekson se vendimi i GJKKO-së cenon imunitetin kushtetues të një anëtari të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve si dhe kompetencat kushtetuese të Kryeministrit dhe Presidentit për propozimin, emërimin dhe shkarkimin e ministrave.
Sipas dokumentit, ndërhyrja e gjykatës së posaçme duke pezulluar një ministër “krijon një situatë të ngjashme me shkarkimin” dhe paralizon funksionimin e ekzekutivit në një fushë të rëndësishme përgjegjësie. Qeveria paralajmëron se kjo ndërprerje e veprimtarisë qeveritare prek edhe procesin e integrimit europian, duke vënë në rrezik miratimin e rreth 800 projektakteve deri në fund të vitit 2027, që lidhen me ministrinë që drejtohet nga Balluku.
Kërkesa e Këshillit të Ministrave vjen pak ditë pasi për çështjen e 21 Janarit janë pyetur edhe figura të tjera politike, ndër to ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha.