Çfarë do të zbulojë? Ilir Meta kërkon të dëshmojë për vrasjet e 21 Janarit

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet prej më shumë se një viti në qeli, ka kërkuar të merret në pyetje nga SPAK në lidhje me dosjen e “21 Janarit”, ngjarja ku u vranë katër protestues para Kryeministrisë në vitin 2011.

Kërkesa është paraqitur nga avokati i tij, Cakrani, i cili i ka kërkuar prokurorit të çështjes, Alfred Shehu, të thërrasë Metën si person në dijeni të rrethanave dhe fakteve që lidhen me hetimin.

Pak ditë më parë, për të njëjtën dosje është marrë në pyetje edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Më herët, në SPAK ka dëshmuar edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili në kohën e ngjarjes së 21 janarit 2011 mbante detyrën e ministrit të Brendshëm.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa kërkesa e Metës pritet të shihet nëse do të pranohet nga prokuroria.