Armik i përbetuar i Aldo Bares/ Zbardhen detajet e atentatit ndaj “Julit të Pashakos” në Lushnje

Rreth orës 11:00 të së martës, 45-vjeçari Juljan Sula, i njohur edhe si “Juli i Pashakos”, sapo kishte dalë nga banesa e tij në Karbunarë, pa e ditur se në hyrje të Lushnjes e priste një atentat i mirëorganizuar nga tre persona. Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, Sula po qarkullonte me makinë pranë stadiumit të qytetit kur drejt tij u qëllua me breshëri kallashnikovi nga tre individë që dolën papritur nga një automjet i parkuar.

Për të shpëtuar, ai është larguar me shpejtësi duke u drejtuar drejt banesës së tij, ku më pas është gjetur nga policia i plagosur në këmbë. Mjekët ligjor do të përcaktojnë nëse dëmtimi ka ardhur nga armët e zjarrit apo nga tentativa për t’u larguar. Ngjarja ndodhi në një zonë të frekuentuar mes spitalit dhe stadiumit, ku qytetarë të rastësishëm shpëtuan pa lëndime pavarësisht të shtënave të shumta.

Pas atentatit, autorët janë larguar drejt fshatit Lifat, ku kanë braktisur automjetin me targa greke dhe më pas i kanë vënë flakën. Në brendësi të tij policia gjeti një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet të jenë përdorur gjatë sulmit. Armët dhe mjeti janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen analizës balistike dhe hetimore për identifikimin e autorëve. Po ashtu, po përpunohen pamjet e kamerave të sigurisë për të ndërtuar itinerarin e tyre dhe për të zbuluar gjurmë të tjera.

Juljan Sula është një emër i njohur për policinë, i lidhur me ngjarje të rënda kriminale dhe i përfshirë në konflikte të shumta. Ai konsiderohet kundërshtar i të dënuarit me burgim të përjetshëm Aldo Bares dhe mik i Laert Haxhisë, gjithashtu i dënuar përjetë. Hetuesit do t’i rikthehen pikërisht historikut të tij kriminal për të përcaktuar motivet e mundshme që çuan në atentatin e kësaj të marte.