Situata e tensionuar në Pukë/ Zbulohet identiteti i personit të dytë që kërcënon forcat speciale

Arben Uka raportohet të jetë personi i dytë që fshihet në godinën e pabanuar në Pukë, së bashku me 24-vjeçarin Julian Çumraku, duke sfiduar forcat RENEA me kërcënime të vazhdueshme.

Të dy mësohet se prej rreth një muaji qëndronin të strehuar në një shtëpi në Orosh, ndërsa për Arben Ukën thuhet se ka qenë më herët objekt i ndjekjes nga strukturat e Antiterrorit, sipas burimeve të ABC.

Ndërkohë që operacioni i RENEA-s është ende në zhvillim, Çumraku vazhdon të kërcënojë se do të hapë zjarr dhe gjatë gjithë kohës dëgjohen thirrjet e tij “Allahu Ekber”. Shtëpia ku janë ngujuar të dy personat është në pronësi të Mhill Jakut, ndërsa në zonë ka mbërritur edhe një ambulancë për të përballuar çdo situatë emergjente.

Forcat speciale vazhdojnë negociatat dhe mbajnë të rrethuar zonën, teksa tensioni mbetet i lartë.