Zyra e gjendjes civile në Mantova ka zbuluar një mashtrim të pazakontë, ku një burrë, duke u shtirur si nëna e tij e ndjerë, vazhdonte të tërhiqte pensionin e saj.
Maskimi i tij, i krahasuar me atë të Mrs. Doubtfire në filmin e njohur, ka ngritur dyshime tek punonjësja e sportelit, pasi fotografia e paraqitur nuk përputhej aspak me moshën e vërtetë të 85-vjeçares dhe paraqiste tipare dukshëm mashkullore, veçanërisht në pjesën e qafës.
Punonjësja lajmëroi menjëherë karabinierët, pasi u verifikua se personi që kërkonte rinovimin e dokumentit nuk ishte zonja Dall’Oglio.
Siç shkruan “Corriere della Sera”, u hap një hetim i brendshëm që vuri në krahasim foton e bërë në bashki dy javë më parë me kartën e identitetit të skaduar prej dhjetë vitesh të të moshuarës, duke zbuluar kështu mashtrimin.
Rezultoi se i gjithë skenari ishte i organizuar nga djali i saj, një infermier i papunë, i cili ishte maskuar si e ëma për të vazhduar të përfitonte pensionin, që deri tani kishte arritur në 53 mijë euro. Por zbulimi më tronditës ndodhi kur karabinierët hynë në banesën e tij: në një nga dhomat gjetën trupin e mummifikuar të nënës. Hetimet do të vijojnë për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje të pazakontë dhe makabre.