Kërcënuan se do hapin zjarr! RENEA dhe Antiterrori prej orësh në Pukë! Rrethohet shtëpia ku fshihen dy të shumëkërkuarit

Një operacion i madh policor është duke u zhvilluar në një zonë të thellë malore në Pukë, ku dy persona të armatosur dyshohet se janë ngujuar prej rreth një muaji në një banesë të pabanuar. Njëri prej tyre është identifikuar si Julian Çumraku, 24 vjeç, ndërsa personi tjetër mbetet ende i paidentifikuar. Forcat e RENEA-s dhe njësitë Antiterror kanë rrethuar godinën, pasi i riu ka kërcënuar hapur se do të qëllojë ndaj policisë.

Nga raportimet e para mësohet se brenda shtëpisë dëgjohen thirrje “Allahu Ekber”, ndërsa negociatat për dorëzim vazhdojnë, pa rezultat deri tani. Në vendngjarje ka mbërritur edhe një autoambulancë, e gatshme për çdo emergjencë të mundshme.

Operacioni nisi pasi Policia e Pukës mori informacione se në këtë banesë, pronë e një të moshuari të identifikuar si Mëhill Haku, po strehohej një person me rrezikshmëri të lartë që po kërkohej nga drejtësia. Dyshimet më pas u zgjeruan, duke çuar në blindimin e zonës dhe thirrjen urgjente të forcave speciale nga Tirana dhe Shkodra. Sipas burimeve, godinën dy të rinjtë e kanë përdorur prej disa javësh si strehë për t’iu shmangur kontrollit të policisë.

Zona pranë shkollës së Oroshit është izoluar plotësisht, ndërsa komunikimi mbetet i vështirë për shkak të mungesës së sinjalit telefonik, çka e ka rënduar më tej situatën në terren. RENEA ka kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të personave të ngujuar, por deri në momentin e publikimit të këtij informacioni nuk ka ende një reagim zyrtar nga autoritetet mbi zhvillimet më të fundit.

Operacioni vazhdon, dhe situata konsiderohet tejet e rrezikshme.