“Kërcënim për rendin publik!” Gazetari Artan Hoxha shpallet “non grata” në Greqi

Autoritetet greke kanë shpallur ditën e djeshme gazetarin investigativ Artan Hoxha si person “të padëshirueshëm”, duke e ndaluar për një afat të pacaktuar të hyjë në territorin e Republikës së Greqisë. Sipas klasifikimit zyrtar, ai konsiderohet “kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”.

Gazetari Hoxha po udhëtonte drejt Janinës, kur u ndalua në pikën kufitare të Kakavijës nga policia greke. Në sportelin e kontrollit të pasaportave, atij iu komunikua se hyrja në Greqi nuk ishte e mundur, me arsyetimin se përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të shtetit fqinj.

Pasi iu mor pasaporta, Hoxha u mbajt për rreth një orë në ambientet e policisë greke. Rreth orës 10:30, me orën lokale, ai u njoftua me vendimin final, që e shpall “non grata” pa afat të përcaktuar.

Në dokumentin zyrtar që i është dorëzuar gazetarit, theksohet se ai është kategorizuar si person i padëshirueshëm dhe konsiderohet i rrezikshëm për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së.

Më pas, autoritetet greke i vendosën shenjë anulimi me stilolaps në pasaportë, mbi vulën kufitare, dhe i kërkuan të largohej menjëherë nga territori grek.

Ky nuk është rasti i parë ku një gazetar shqiptar shpallet “non grata” nga shteti grek. Më herët, një vendim i ngjashëm është marrë ndaj gazetarit të Top Channel, Marin Mema, pas investigimeve të tij mbi çështje që preknin interesat kombëtare shqiptare.

Edhe pse anëtare e Bashkimit Europian, Greqia është akuzuar shpesh nga aktorë mediatikë në Shqipëri për masa penalizuese e diskriminuese ndaj gazetarëve shqiptarë që denoncojnë aktivitete apo figura që, sipas autoriteteve greke, cenojnë interesat e tyre kombëtare.

Sipas asaj që i është komunikuar Hoxhës, vendimi për ta shpallur atë “non grata” është marrë në fillim të vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet europiane, kur në listën për eurodeputet të partisë Nea Dimokratia kandidonte Fredi Beleri, me shtetësi të dyfishtë shqiptare-greke.

Artan Hoxha ka raportuar prej vitesh për veprimtarinë e Belerit, duke përfshirë denoncimin e rolit të tij në “Masakrën e Peshkëpisë” të vitit 1994, ku u vranë dy efektivë shqiptarë. Ai gjithashtu është përballur me procese gjyqësore në Gjykatën Penale të Tiranës gjatë viteve 2023–2024, të lidhura me deklarimet e tij publike.

Autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar ende mbi vendimin e fundit të Greqisë ndaj gazetarit.