Në Gjykatën e Prishtinës është zhvilluar sot seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, ku bashkëshorti i saj, Naim Murseli, akuzohet si porositës i krimit. Prokurorja e çështjes, Javorka Perlinçeviq, ka zbardhur komunikimet e fshehta mes Murselit dhe ekzekutorit të dyshuar, Granit Plava, të cilat sipas saj provojnë përfshirjen direkte të bashkëshortit në organizimin e vrasjes.
Në telefonin e Plavës janë gjetur mesazhe WhatsApp të shkëmbyera me Naim Murselin nga data 23 nëntor 2023 deri në 29 nëntor 2023, ditën kur ndodhi vrasja. Mes tyre ndodhet edhe një mesazh kyç, ku Murseli i shkruan Plavës: “Shok, sigurisht kryhet nesër, a të ka thënë shtëpia për paradite”. Pas këtij komunikimi, të dy kanë vijuar me thirrje telefonike, ndërsa telefonata e fundit mes tyre është regjistruar më 29 nëntor 2023 në orën 19:01 dhe ka zgjatur 28 sekonda.
Prokuroria ka bërë të ditur se natën e vrasjes, Murseli me familjen e tij dhe Granit Plava kanë qenë në të njëjtin restorant, “Etnokuqa” në Graçanicë. Pamjet filmike tregojnë qartë lëvizjet e tyre brenda dhe jashtë lokalit, momentin kur Plava paguan i pari dhe del jashtë, si edhe mënyrën se si ai qëndron në veturën e tij duke pritur daljen e Naim Murselit me familje, për t’i ndjekur më pas menjëherë me automjet.
Në gjykatë është paraqitur edhe prova materiale kryesore, gëzhoja e plumbit me të cilin u qëllua Liridona Ademaj, e cila është gjetur në vendin e krimit dhe do të administrohet zyrtarisht nga gjykata.
Prokuroria ka zbuluar gjithashtu edhe situatën e rënduar financiare të Naim Murselit. Në mars të vitit 2024, borxhet e tij totale kanë arritur në 475,968.77 euro, një pjesë e të cilave ndaj personave fizikë. Sipas materialeve të administruara, kjo gjendje e rëndë financiare përkon me periudhën kur ai ka intensifikuar komunikimin me Granit Plavën.
Një tjetër detaj i rëndësishëm ka qenë përgjigjja zyrtare nga autoritetet suedeze, të cilat kanë konfirmuar se Liridona Ademaj kishte një sigurim jetësor prej 3 milionë kronash suedeze, me vlefshmëri nga 25 qershor 2022. Në dokumentet e sigurimit nuk figuron asnjë përfitues specifik, çka sipas ligjit suedez do të thotë se në rast vdekjeje, përfitues automatik do të ishte bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Seanca pritet të vijojë me administrimin e provave të tjera, të cilat do të jenë vendimtare për zbardhjen e plotë të motivit dhe përgjegjësisë së çdo të pandehuri në këtë ngjarje që tronditi opinionin publik.