Gjykata Rajonale e Bielefeldit në Gjermani ka shpallur të hënën mbrëma vendimin ndaj dy të afërmve të boksierit të vrarë, Besar Nimani.
Vëllai i tij, Berat Nimani, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa motra e tyre është dënuar me pesë vjet burg. Të dy u shpallën fajtorë për tentim vrasjeje, në kuadër të një përplasjeje të gjatë mes dy familjeve me prejardhje shqiptare dhe kurde në Gjermani.
Kryetari i trupit gjykues, Christoph Meiering, e cilësoi rastin si “të jashtëzakonshëm” për qytetin e Bielefeldit. Sipas gjykatës, Berat Nimani e kishte marrë ligjin në duart e veta pasi humbi besimin në institucionet gjermane pas vrasjes së vëllait të tij, boksierit Besar Nimani, në mars 2024.
Berati kishte qëlluar ndaj familjarëve të personit që vrau vëllain e tij, duke synuar, sipas gjykatës, të hakmerrej. Letra të shkruara nga burgu, sipas prokurorisë, tregonin përçmimin e tij të thellë ndaj familjes rivale.
Ndaj Beratit, prokuroria kishte kërkuar 12 vjet burg, por gjykata vendosi një dënim edhe më të rëndë. Edhe motra e tij u shpall fajtore për tentim vrasjeje, pasi sipas provave kishte qëlluar nga një automjet, megjithëse nuk kishte goditur askënd.
Përplasjet mes dy familjeve njëra me prejardhje shqiptare dhe tjetra kurde kanë nisur vite më parë. Edhe pse ende nuk dihet saktësisht shkaku kryesor, dyshohet se konflikti lidhet me aktivitetet të paligjshme, përfshirë tregtinë e drogës.
Kriza kulmoi pas vrasjes së Besar Nimanit në vitin 2024, një ngjarje që tronditi komunitetin shqiptar në Gjermani dhe diasporë. Autori i vrasjes është tashmë i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa një person tjetër i përfshirë është ende në arrati.