Dhunoi për vdekje 58-vjeçarin grek, gjykata lë në burg 29-vjeçarin shqiptar, çfarë deklaroi para trupës gjykuese

Igli Shano, 29 vjeç, është lënë në “arrest me burg” nga Gjykata Evelpidon në Athinë, pasi pranoi përfshirjen në dhunimin që çoi në vdekjen e një shoferi 58-vjeçar në zonën Neo Kosmo.

Gjatë seancës, Shano deklaroi se nuk kishte pasur qëllim të vriste dhe theksoi se konflikti nisi pasi viktima e sulmoi i pari me spraj djegës dhe e ofendoi. Ai u shpreh se me 58-vjeçarin nuk kishte asnjë njohje të mëparshme dhe se gjithçka ndodhi pas një përplasjeje të menjëhershme në rrugë.

Sipas mediave greke, 29-vjeçari kërkoi falje për situatën, duke pretenduar se vdekja e shoferit nuk erdhi drejtpërdrejt nga goditjet e tij, por nga një gjendje shëndetësore e viktimës, të cilën ai e përshkroi si “miokardit hipertrofik”.

Pavarësisht deklarimeve të Shanës, prokurori dhe gjykatësi vendosën masën e arrestit me burg, duke e akuzuar për “vrasje me dashje në gjendje të qetë mendore”.

Autoritetet greke bëjnë me dije se Igli Shano ka pasur precedentë penalë për vepra të tjera kriminale, një element që është marrë parasysh gjatë vlerësimit të rrezikshmërisë së tij. Hetimet për dinamikën e plotë të ngjarjes vijojnë.