Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në segmentin Milot–Kalimash, pranë Rrëshenit, ku tre mjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke rezultuar fatale për një të ri.
Automjeti me targa AA473FL, në të cilin udhëtonte 24-vjeçari Eugen Bardhoku, banues në Rrubik, është përplasur fillimisht me një kamion me targa 01314CB, i drejtuar nga Nexhmedin Isufi, dhe më pas me një kamion-trailer me targa 04418TA, nën drejtimin e Vllaznim Gashit.
Si pasojë e përplasjes së fortë, i riu ka humbur jetën në vend. Drejtuesi i kamion-trailerit, Vllaznim Gashi, është shoqëruar nga Policía për procedurat e mëtejshme.
Aksidenti ka bllokuar për disa orë qarkullimin në Rrugën e Kombit, duke detyruar devijimin e automjeteve drejt rrugës së vjetër Rubik–Rrëshen. Qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar në trafik, ndërsa raportohen ankesa për mungesë menaxhimi dhe situatë të rënduar në terren.
Ndërkohë, gazetarët nuk janë lejuar të afrohen pranë vendngjarjes nga efektivët e Policisë Rrugore, duke u penguar në kryerjen e detyrës. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit tragjik.