Situata e motit të keq që ka përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit ka shkaktuar probleme serioze në disa akse rrugore, ndër to edhe në segmentin Delvinë–Kardhiq, në afërsi të tunelit të Skërficës. Reshjet intensive të shiut, të shoqëruara me përmbytje të menjëhershme, kanë sjellë rrëshqitje masive gurësh dhe dherash, duke e kthyer qarkullimin në një rrezik ekstrem.
Rruga është mbuluar në disa zona nga prurjet e mëdha të ujit, ndërsa masivet shkëmbore kanë rrëshqitur drejt karrexhatës, duke e bërë kalimin pothuajse të pamundur. Drejtuesit e mjeteve paralajmërohen të shmangin me çdo kusht lëvizjen në këtë aks, pasi zona paraqet rrezik të lartë për incidente.
Autoritetet rrugore dhe ekipet e emergjencave civile ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e segmentit, por reshjet që vijojnë e vështirësojnë procesin. Ndërkohë, po monitorohen edhe zona të tjera me rrezik rrëshqitjeje, ndërsa bëhen thirrje për kujdes maksimal në qarkullim dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare.