Gjykata e Durrësit ka vendosur masën “arrest në burg” për Daniel Pepën, të dyshuarin kryesor për vrasjen e Florian Paluçit në Manzë, ngjarje e ndodhur rreth një muaj më parë. 21-vjeçari u paraqit në seancë një ditë pas dorëzimit të tij në Policinë e Durrësit, së bashku me armën e krimit, e cila tashmë ndodhet në laborator për ekspertizë balistike. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa gjykata verifikoi vlefshmërinë ligjore të masës së sigurisë të dhënë më herët në mungesë.
Pepa ka deklaruar se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe tronditjes psikologjike, duke pretenduar se Florian Paluçi kishte qenë i pari që hapi zjarr dhe vrau shokun e tij, Aranit Kurtin. Sipas gazetarit Elton Qyno, këtë version ai e ka paraqitur menjëherë pas dorëzimit në Prokurorinë e Durrësit, e cila po heton vrasjen e dyfishtë të ndodhur në mesnatën e 22 tetorit 2025.
Gjatë marrjes në pyetje në ambientet e policisë, i riu ka pohuar se ka qëlluar vetëm për të shmangur që edhe ai të bëhej viktimë, pasi Paluçi sipas tij, fillimisht kishte vrarë shokun e tij Aranit, dhe më pas po tentonte të qëllonte edhe mbi të. Ai ka këmbëngulur se ka qenë i tronditur, i frikësuar dhe ka vepruar në çast nën presion të madh psikologjik. Konflikti mes tyre, sipas hetimeve, kishte nisur për një arsye banale: ekspresi i kafesë ishte i fikur dhe kamarieri nuk mund t’i shërbente.
Megjithatë, pavarësisht pretendimeve të Pepës, organet e hetimit theksojnë se provat më të forta janë pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat përshkruajnë në detaje dinamiken e krimit. Sipas policisë, ai që ka qëlluar i pari është Florian Paluçi, i cili ka hapur zjarr fillimisht drejt tokës, e më pas ka drejtuar armën nga Daniel Pepa, duke shtënë pa arritur ta godasë.
Në përpjekje për të ndërhyrë, Aranit Kurti, shoku i Pepës, ka qëlluar Paluçin me grusht dhe ka tentuar të largohet, por është qëlluar pas shpine. Plumbi i ka prekur zemrën dhe ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në ato momente, Daniel Pepa ka shtënë vetëm një herë. Plumbi i tij ka goditur pas shpine Florian Paluçin, i cili ka rënë në tokë pas disa lëvizjeve të pavetëdijshme, duke ndërruar jetë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa Prokuroria e Durrësit po shqyrton të gjitha provat materiale dhe dëshmitë për të përcaktuar nëse pretendimet e vetëmbrojtjes së Pepës qëndrojnë ligjërisht.