Xhaka u prit me vërshëllima në Prishtinë, mediat serbe reagojnë me entuziazëm

Barazimi 1-1 mes Kosovës dhe Zvicrës në Prishtinë nuk kaloi pa tensione, sidomos ndaj kapitenit të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka. Mesfushori me origjinë shqiptare u përball me vërshëllima sa herë prekte topin, një situatë e pazakontë duke marrë parasysh lidhjet e tij të hershme me Kosovën.

Ky reagim i tifozëve kosovarë ka bërë jehonë të madhe në Serbi, ku mediat e kanë shfrytëzuar momentin për të komentuar me ton triumfalist.

Portali serb B92 shkruajti: “Xhaka u fishkëllye në Prishtinë: ‘Më dhemb’”, duke nënvizuar deklaratat e futbollistit pas ndeshjes.

Ndërkohë tabloidi Kurir përdori një qasje edhe më të ashpër, duke raportuar: “Granit Xhaka u shemb para kamerave pasi u POSHTËRUA në një ndeshje kundër shtetit të rremë të Kosovës.”

Reagimet e mediave serbe kanë ardhur të menjëhershme, duke e interpretuar situatën si një moment të favorshëm propagandistik, ndërsa ndeshja vetë u zhvillua pa incidente serioze në fushë.