Igli Shano, 29-vjeçari nga Bilishti i akuzuar për vrasjen e një 58-vjeçari grek, ka deklaruar para autoriteteve se konflikti nisi pas një incidenti në trafik. Sipas tij, viktima i kishte bllokuar rrugën dhe e kishte spërkatur në fytyrë me spraj djegës, çka më pas çoi në përplasjen e dhunshme.
Hetimet paraprake tregojnë se Shano dyshohet të ketë vepruar në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të cilët, sipas autoriteteve greke, kanë marrë pjesë aktive në sulmin ndaj viktimës, duke e goditur vazhdimisht.
Mediat greke raportojnë se automjeti i 58-vjeçarit është gjetur i gjakosur, me xhamin e përparmë të thyer, duke dëshmuar dhunën e ushtruar ndaj tij. Sipas dyshimeve të autoriteteve, gjithçka ka nisur pas një parakalimi të debatueshëm, që më pas është përshkallëzuar në konflikt fizik.
Ndërkohë, policia greke ka nisur hetimet e plota për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësinë e secilit prej të përfshirëve.