Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka hedhur dritë mbi disa detaje të reja rreth ish-policit Jeton Lami, njeriu i fundit që është parë në shoqërinë e Ervis Martinajt para zhdukjes së tij misterioze. I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, Karamuço nënvizoi se Lami është figura kyçe që mund të zbulojë fatin e ish-bosit të basteve sportive, por vazhdon të refuzojë bashkëpunimin me drejtësinë.
Sipas ekspertit, Lami ka mbajtur të njëjtën linjë heshtjeje që në momentet e para të marrjes në pyetje, duke pohuar se ndjen rrezik të madh për veten dhe familjen e tij.
“Është provuar që Jeton Lami nuk bashkëpunon me institucionet e drejtësisë. Ai ka kyçur gojën, duke iu referuar edhe asaj që ka thënë gjatë marrjes në pyetje: ka frikë për jetën e tij dhe të familjarëve,” tha Karamuço, duke shtuar se ish-polici mund të vetëimplikohet nëse flet.
Megjithatë, sipas tij, Lami është i vetmi që di me saktësi se çfarë ka ndodhur me Martinajn.
“A e implikon veten po të flasë? Po, por ai e di shumë mirë fundin e Vis Martinajt. Organet e drejtësisë duhet të deklarojnë se ky person duhet të flasë,” u shpreh ai.
Karamuço theksoi më tej se gjatë dëshmisë së tij, Lami nuk përmendi emra konkretë lidhur me zhdukjen e Martinajt, por solli në vëmendje një informacion tjetër delikat: një listë të gjerë efektivësh policie që, sipas tij, merrnin para nga Martinaj.
“Në atë kohë ai nuk foli për emra konkretë, por foli për një listë të gjatë policësh që merrnin para nga Vis Martinaj, dhe ajo listë është në SPAK,” përfundoi eksperti.
Ngjarja mbetet ndër më të errëtat e viteve të fundit, ndërsa zhdukja e Martinajt vijon të jetë një mister i pazbardhur.