E prangosën dhe e dogjën në makinë/ Rrëfehet bashkëshortja e Sulo Halilit: “Daja i ish të dashurit tim e kërcënoi se do e digjte me benzinë!”

Bashkëshortja e Sulo Halilit, shqiptarit që u gjet i lidhur me pranga dhe i djegur brenda një makine në Greqi, ka treguar detaje të reja në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, duke përshkruar bisedën e fundit me viktimën dhe një kërcënim të vjetër që, sipas saj, mund të ketë lidhje me ngjarjen.

Ajo tha se nuk kishte dijeni për konflikte që bashkëshorti mund të kishte, duke shpjeguar se me Sulon ishte njohur përmes mblesërisë, ndërsa para katër vitesh kishte marrë një telefonatë kërcënuese nga daja i ish-të dashurit të saj, me të cilin kishte pasur një bashkëjetesë.

“Më ka njohur kushëriri me mblesëri me Sulon. Kisha dy vite më parë që kisha pasur një bashkëjetesë. Daja i djalit që kam bashkëjetuar unë, e kërcënoi, por çdo gjë e bëra me mirëkuptim. Isha e ndarë dhe jetoja në një vend ku punoja. Isha tre muaj e ndarë, ishte e gjitha me mirëkuptim.”

Ajo shtoi se nuk e di nëse ky person mund të ketë lidhje me vrasjen.

Në lidhje me ditën e ngjarjes, gruaja tregoi se gjithçka kishte qenë normale. Sulo kishte ardhur nga puna, kishin ngrënë drekë së bashku dhe më pas ai kishte thënë se do të shkonte “për të nxjerr patentën”.

“Unë i thash do nxjerrim fëmijët. Ok tha, por do fle pak. Më pas më tha ‘do iki diku për të nxjerr patentën’, se do e merrte me lekë. Shoku që e shoqëroi është shqiptar. Ai më tha ‘prit këtu’ dhe nuk erdhi më.”

Sipas saj, bashkëshorti ishte në gjendje të mirë psikologjike para se të largohej:

“Ai ishte i gëzuar, ishte shumë mirë. Punonte në ndërtim. Mirë ishim financiarisht. Unë nuk punoja, se kam djalin 1 muajsh dhe vajzën 3 vjeçe. Kur iku ishte i gëzuar, nuk kishim asgjë.”

Ajo ka kujtuar edhe telefonatën e fundit me të:

“E mora në telefon dhe më tha; Shkova në destinacion, në Thiva. Më tha ‘ik ik se flasim’.”

Ndërkohë, shoku i viktimës i kishte treguar se Sulo e la në një vend duke i thënë të priste, por nuk u kthye më:

“Shoku më tha ‘u ktheva me makinë tjetër’. Makina e shokut u gjet në një kalceto. Trupi u gjet pak më larg, se di sa.”

Ajo përmendi sërish kërcënimin e vjetër:

“Daja i ish-të dashurit tim e ka kërcënuar para 4 vitesh, nuk ishim shqetësuar. Më ra si bombë. Nuk e di se si ndodhi. Se besoj se është marrë me diçka të keqe, se nuk kishim lekë në shtëpi. Nuk është se dyshoj se shoku i tij, më duket djalë i qetë, se di. ‘Po të kapa do të djeg me benzinë’, kështu i tha daja i ish- të dashurit tim Sulos.”

Hetimet nga autoritetet greke po vazhdojnë, ndërsa pista të ndryshme janë duke u shqyrtuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.