Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta në disa zona të vendit, duke bllokuar rrugë, përmbytur banesa dhe vënë në vështirësi qindra banorë. Situata më e rënduar raportohet në zonat fushore të Durrësit dhe Krujës, ku prurjet e ujit kanë qenë të larta gjatë orëve të para të mëngjesit.
Në Sukth, disa banesa janë përmbytur në fshatrat Kullë, Hamallë dhe Rrushkull, ndërsa një pjesë e rrugëve rurale rezultojnë të pakalueshme për shkak të ujit të grumbulluar dhe bllokimeve të ndryshme.
Në Manzë, autoritetet bëjnë të ditur se rreth 48 shtëpi kanë pasur prezencë të konsiderueshme uji, duke detyruar banorët të kërkojnë ndihmën e ekipeve të emergjencës për largimin e ujit dhe shmangien e dëmeve të mëtejshme.
Ndërkohë, në bashkinë Krujë, problematika paraqitet në zonat Thumanë, Borizanë dhe Mazhë, ku po punohet intensivisht për hapjen e kanaleve kulluese dhe zhbllokimin e rrugëve kryesore. Ekipet në terren po ndërhyjnë gjithashtu në lumin e Drojës, ku po forcohet argjinatura për të parandaluar daljen e tij nga shtrati. Sipas autoriteteve, niveli i ujit ka nisur të bjerë gradualisht, por situata mbetet e ndjeshme dhe po monitorohet nga afër.