Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 25 vite burg për Marjo Përlleshin, të miturin e akuzuar për vrasjen e 15-vjeçarit Martin Cani, ngjarje e rëndë që tronditi kryeqytetin më 18 nëntor të vitit të kaluar. Përleshja fatale ndodhi pranë shkollës “Fan Noli”, aty ku të dy të rinjtë ndiqnin mësimet.
Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi tre ditë para vrasjes, kur mes dy adoleshentëve kishte shpërthyer një konflikt i vogël që më pas u agravua. Të miturit ishin përplasur fizikisht edhe më herët, ndërsa ditën kritike tensionet u rikthyen dhe morën trajtën e një sherri më të gjerë, ku u përfshinë edhe disa bashkëmoshatarë të tjerë.
Në ditën e ngjarjes, sherri u zhvillua pranë shkollës dhe përfundoi tragjikisht. Pamjet e siguruara nga një kamerë sigurie janë një nga provat kyçe të prokurorisë: ato tregojnë Marjo Përlleshajn teksa largohet me nxitim nga vendi i ngjarjes me një thikë në dorë, mjeti me të cilin dyshohet se goditi për vdekje Martin Canin. Viktima, sipas akt-ekspertimit, kishte marrë plagë të rënda të shkaktuara nga goditjet me thikë.
Gjatë hetimeve të thelluara, janë marrë dëshmitë e nxënësve të pranishëm, mësuesve, prindërve dhe personave të tjerë që kanë dijeni për konfliktet e mëparshme mes të dyve. Prokuroria ka arritur në përfundimin se autori ka vepruar me dashje dhe se ka pasur mundësi ta shmangte përshkallëzimin e situatës.
Për këtë arsye, organi i akuzës kërkon dënimin maksimal prej 25 vitesh burg, që është masa më e lartë e parashikuar për një të mitur në raste të tilla.
Çështja ndodhet tashmë në fazën përfundimtare, ndërsa gjykata pritet të shpallë vendimin pas shqyrtimit të provave dhe pretendimeve përfundimtare të palëve. Rasti ka rikthyer në qendër të vëmendjes problemet e sigurisë në shkolla dhe përshkallëzimin e dhunës mes të miturve.