Tre banesa u shembën gjatë natës në zonën e Cormons, pranë Gorizias në veri të Italisë, pas reshjeve të jashtëzakonshme të shiut që goditën rajonin. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga forcat zjarrfikëse italiane, të cilat bënë të ditur se shembjet janë pasojë e një rrëshqitjeje të fuqishme dheu, e provokuar nga stuhitë intensive që kanë prekur gjithë zonën kufitare me Slloveninë.
Dy persona rezultojnë ende të zhdukur – një i mitur dhe një grua e moshuar – ndërsa një person u shpëtua i gjallë nga rrënojat pas orësh kërkimesh. Autoritetet kanë paralajmëruar se operacionet e kërkim-shpëtimit po zhvillohen në kushte tepër të vështira për shkak të terrenit të paqëndrueshëm, rrezikut të rrëshqitjeve të reja dhe prurjeve të pandërprera të ujit.
Ndërkohë, trupi i pajetë i Quirin Kuhnert, 32 vjeç, shtetas gjerman, është gjetur nga zjarrfikësit në zonën Brazzano di Cormons. Ai ishte zhdukur më herët, pasi rrëshqitja e dheut kishte goditur banesën e tij, vetëm pak kilometra larg vendit ku u shembën tre shtëpitë e tjera.
Stuhitë e orëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në provincat e Udines dhe Gorizias, ku disa lumenj kanë dalë nga shtrati duke përmbytur zona të tëra, bllokuar rrugë kryesore dhe izoluar baza banimi. Për shkak të situatës së rëndë, në ndihmë janë dislokuar ekipe të specializuara nga rajonet Lombardia, Veneto dhe Emilia Romagna, ndërsa autoritetet lokale kërkojnë që banorët të shmangin lëvizjet e panevojshme.