Mbyllet protesta e opozitës/ Berisha: “Do të rikthehemi çdo javë deri në dorëheqje”

Pas rreth 1 orë e 30 minutash, protesta e organizuar nga opozita përpara Kryeministrisë është mbyllur, edhe pse leja zyrtare ishte dhënë për një afat 2-orësh. Tubimi u zhvillua pa incidente dhe pa përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Fjalën hapëse e mbajti kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili deklaroi se protesta do të përsëritet çdo javë, derisa – sipas tij – kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku të japin dorëheqjen.

Në podiumin e vendosur përpara godinës së qeverisë kanë folur gjithashtu disa deputetë të tjerë të PD-së dhe qytetarë pjesëmarrës, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

Në fjalimin e tij, Berisha theksoi se protesta synon të shndërrohet në një lëvizje të përjavshme:

“Mirënjohje të pakufishme për të gjithë. Kjo është foltore themelore. Themelon lëvizjen e fuqishme që do i japë këtij regjimi ndëshkimin që meriton. Kjo foltore do të shndërrohet në një gurrë frymëzimi dhe do të realizojë bashkimin e shqiptarëve në idealin e votës së lirë dhe shenjtërinë e familjes shqiptare. Mirupafshim në foltoren tjetër, po në këtë shesh, deri në fitore.”

Protesta u mbyll pa incidente, ndërsa organizatorët njoftuan se do të rikthehen javën e ardhshme në të njëjtin vend.