Shqipëria ka hapur sot zyrtarisht negociatat me Bashkimin Evropian për grupkapitullin e fundit, “Bujqësia dhe Kohezioni”, duke përmbyllur fazën teknike të hapjes së të gjashtë grupeve të kapitujve të acquis communautaire.
Në konferencën e përbashkët në Bruksel me komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministren daneze të Punëve të Jashtme, Marie Bjerre, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë hap si një moment vendimtar në procesin e integrimit.
Rama tha se pak kohë më parë çelja e plotë e grupkapitujve dukej e pamundur, por sot është një realitet i mbështetur mbi një plan pune konkret.
“Kush do ta mendonte se do të ishim këtu sot? Vetëm pak kohë më parë dukej e paarritshme. Jemi mësuar më shumë me sprapsjet sesa me hapa përpara. Por ky rrugëtim na ka bërë më të fortë e më të pjekur. Ajo që ishte një ëndërr pak më shumë se një vit më parë, sot është realitet. Dua të falënderoj Marinë dhe Martën për mbështetjen. Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ecur përpara dhe për të dhënë rezultate,” – u shpreh Rama, duke theksuar se Shqipëria del nga kjo fazë me më shumë përgjegjësi dhe me bindjen se anëtarësimi në BE është zgjidhja e vetme e drejtë për vendin.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në procesin e reformave dhe tha se suksesi i hapjes së të gjithë kapitujve është rezultat i punës së institucioneve, mbështetjes së shteteve anëtare dhe vullnetit të qytetarëve shqiptarë për ndryshim.
“Sot është një ditë e veçantë si për Shqipërinë, ashtu edhe për BE. Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit: kur jep rezultate, ecën përpara. Kjo arritje është e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Por suksesi i vërtetë do të matet me shpejtësinë e mbylljes së kapitujve dhe zbatimin e legjislacionit europian,” – tha Kos.
Ministrja daneze e Punëve të Jashtme, Marie Bjerre, u shpreh se zgjerimi është prioritet i presidencës daneze dhe se Shqipëria mund të bëhet anëtare shumë më shpejt sesa pritej, nëse vijon me ritmin aktual të reformave.
“Shqipëria i përket familjes evropiane. Rezultatet që po jepni janë mbresëlënëse. Nëse e mbani të njëjtin drejtim, anëtarësimi nuk është larg. Bashkëpunimi me kryeministrin Rama gjatë këtij 6-mujori ka qenë shumë i frytshëm,” – tha Bjerre.
Konferenca e sotme – e shtata dhe e fundit në ciklin e hapjes së kapitujve – mbyll fazën teknike të procesit. Deri në vitin 2027 pritet që Shqipëria të përfundojë plotësisht harmonizimin me acquis-in, ndërsa më pas do të nisë faza politike e integrimit, ku çdo shtet anëtar i BE duhet të ratifikojë vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë.